Një ditë, teksa profeti Muhamed a.s ishte duke biseduar ulur me shokët e tij, e ndërpret bisedën dhe u thotë: ´´Pas pak, do të vijë një person i cili është nga banorët e parajsës´´.

Nuk kaloi shumë dhe të pranishmit panë një person te cilit i kullonte fytyrës, uji me të cilin kishte marrë abdest. Të njëjtat fjalë të Profetit a.s u përsëriten edhe dy ditët e ardhshme dhe gjithmonë, shfaqej po i njëjti person.

Ditën e tretë, i vihet pas njëri nga shokët e Profetit a.s dhe i thotë:

”O filan! Për shkak të një zënke në familje, jam betuar se nuk do të hyj në shtëpi për tre ditë. A me lejon të flej tek ti këto tre netë?”

Ai pranoi dhe kështu personi në fjalë, qëndroi tre netë në shtëpinë e tij. Këtë, ai e bëri për të hetuar ndonjë vepër të madhe dhe të mirë që bënte natën, e cila e kishte shënuar nga banorët e xhennetit që në këtë botë.

Por, ai u befasua kur pa se ai nuk bënte asgjë më shumë sesa bëjnë dhe besimtarët e tjerë, lutej dhe flinte gjum deri të nesërmen në mëngjes.

Ditën e tretë, i zhgënjyer paksa guxoi dhe e pyeti: ”O filan! Në fakt, nuk jam zënë me familjarët, por erdha që të hetoj për ndonjë punë të mirë që mund të veproje natën.

Ne e dëgjuam tre ditë rresht Profetin a.s, teksa na thoshte se tani do të vijë një nga banorët e parajsës. Ai që vinte ishe ti. A s’më thua, çfarë pune të mirë bën, që ke fituar një gradë të tillë që në këtë botë?”

Burri buzëqeshi dhe iu përgjigj: ”Në fakt, nuk është se bëj ndonjë gjë të madhe. Edhe ti vetë e konstatove se nuk ka ndonjë sekret madhor këtu.

Ndoshta mund të jetë diçka që e kam vetëm me veten dhe Zotin. Unë e dua për të tjerët atë që dua për vehten dhe i dua të gjithë vetëm për hirë të Zotit, sa herë që shtrihem për të fjetuar, e zbraz zemrën nga mëritë, inatet, urrejtja, mllefi, xhelozia dhe smira për të tjerët. Ua bëj hallall të gjithëve atyre që më kanë hyrë në hak dhe më kanë lënduar.”

Zot i madh na ndihmo ti pastrojmë zemrat dhe shpirtrat tanë nga urrejtja, smira, dashakeqësia! Zot na i mbush zemrat me dashuri, dhembshuri, altruizëm, bujari, pasion për të mirën. Amin.

 

Përshtati: Resmi Likaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *